Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë “askush nuk mund t’i mbyllë shkollat”.
“Mësimdhënësit që janë përcaktuar për grevë nuk mund t’i mbyllin shkollat publike”.
Sipas Nagavcit, në shkollat publike mund të qëndrojnë fëmijët dhe prindërit.
Ajo iu ka sugjeruar prindërve që të shkojnë në shkolla e t’i marrin librat e fëmijëve.
Nuk është arritur marrëveshje në mes Qeverisë dhe Sindikatës për ndërprerjen e grevës.
Rrjedhimisht greva pritet të vazhdojë, pasi Rrahman Jasharaj pas takimit me Kurtin ka thënë se “do të mblidhet kryesia e Këshillit Grevist”, por shtoi se asgjë nuk ka ndryshuar.
Nagavci po ashtu është shprehur e shqetësuar se nuk do zëvendësohen orët e humbura, njofton KosovaNews.
“580 mijë orë janë të humbura, për mua është shqetësuese se nuk do të zëvendësohen orët e humbura. Shqetësuese të përmendet me kaq lehtësi se nuk do të zëvendësohet asnjë orë”, ka thënë Nagavci.
“Sivjet do të analizojmë me kujdes në tërësi që këto dëme të riparohen, edhe pse jo tërësisht, por nga ana jonë do të përpiqemi të bëjmë maksimumin”.
Ajo theksoi se do ta shqyrtojnë kalendarin e mësimit shkollor, në mënyrë të mos dëmtohen nxënësit.
“Kalendari është në përgjegjësi të Ministrisë së Arsimit, ne do të shqyrtojmë kalendarin e mësimit shkollor, të mos dëmtohen nxënësit, pasi të dëmtuar mbeten vetëm fëmijët dhe prindërit që i dërgojnë në shkolla publike”, shtoi e para e Arsimit.
Nagavci, theksoi se ndryshe nga shkollat publike, ato private janë duke e mbajtur mësimin rregullisht.