Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të diplomuar në vitin akademik 2021-2022 në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Me këtë rast, ministrja Nagavci u ka uruar të diplomuarve suksese në karrierën e tyre të ardhshme, ndërsa është shprehur se kjo gjeneratë është përballur edhe me vështirësitë e pandemisë, por puna dhe përkushtimi në studime ka dhënë rezultat.
Ministrja, po ashtu, uroi që këta studentë t’i përdorin njohuritë dhe shkathtësitë e fituara për ta bërë Kosovën dhe botën një vend më i mirë.
Duke folur për historikun e Universitetit “Haxhi Zeka”, ministrja theksoi se edhe pse është universitet i ri, ka potencial të madh dhe ofron kuadro të kualifikuar për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi disa veprime konkrete që ka ndërmarrë MAShTI për të lehtësuar barrën e studentëve, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të siguruar ndërlidhjen më të mirë të arsimit të lartë me tregun e punës, si: heqja e tarifave në arsimin e lartë publik dhe skemat e ndryshme për mbështetje finaciare për studentë.
“Në mënyrë që të nxisim arsimimin e gjeneratave të reja e t’i shpërblejmë për punën e tyre, çdo vit ndajmë bursa për studentët e dalluar.
Në dy vitet e fundit kemi ndarë edhe bursa për studentët që studiojnë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM).
Arsimi i lartë është promotor për zhvillime sociale e ekonomike. Andaj po punojmë shumë që, sistemi i arsimit të lartë në Kosovë të ngritet në cilësinë më të lartë e të jetë i krahasueshëm me ato të vendeve të Evropës.
Shpresoj shumë që të diplomuarit të arrijnë majat e suksesit e të bartin njohuritë e tyre për zhvillimin dhe promovimin e shoqëristë tonë.
Suksese!”, ka thënë ministrja Nagavci.