Policia në Shqipëri ka bërë të ditur se ka arrestuar një 48 vjeçar, i cili dyshohet se ka shkaktuar mbrëmë aksidentin në tunelin e Kalimashit, në Morinë. Si pasojë e këtij aksidenti humbën jetën dy qytetarë të Kosovës.
Sipas raportit të policisë, 48-vjeçari nga Tirana dyshohet se gjatë vozitjes e ka humbur kontrollin dhe si rrjedhojë e kësaj është përplasur më veturat e viktimave të përfshirë në aksident.
Nga aksidenti në Kalimash, dy persona persona humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të lënduar.
Komunikata e Policisë – Kukës
DVP Kukës
Specialistët e Njësisë për Sigurisë Rrugore të Autostradës “Tuneli i Kalimashit-Morinë”, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për aksidentin e ndodhur pasditën e djeshme, në tunelin e Kalimashit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. B., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në tunelin e Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur automjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin S. O. dhe autobotin tip “MAN” me drejtues shtetasin Sh. S.
Nga ky aksident humbën jetën drejtuesi i automjetit tip “Ford”, shtetasi S. O., dhe pasagjeri në këtë automjet, shtetasi N. O., të dy banues në Kosovë. Gjithashtu, nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi A. B., pasagjerja në këtë automjet, shtetasja K. B., 26 vjeçe dhe pasagjeri tjetër në automjetin tip “Ford”, shtetasi I. L., 44 vjeç.
(Në informacionin paraprak të ditës së djeshme, është dhënë se drejtuesi i automjetit tip “Ford” ishte shtetasi I. L., por nga veprimet hetimore të kryera në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se drejtuesi i këtij automjeti ishte shtetasi S. O.)
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. Sh., 21 vjeç, banues në Kukës, pasi drejtuar automjetin tip “Audi”, ka përplasur dy 17-vjeçare dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Dy 17-vjeçaret, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Kukësit, janë larguar në banesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.


