Arrestohet me urdhër të autoriteteve shqiptare, SPAK-ut, politikani Klodian Rrjepaj, ish-zëvendës ministër i Shëndetësisë.
Rrjepaj u arrestua për llogari të hetimit për koncensionin e sterilizimit.
Arrestimi i Rrjepajt vjen në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg” të dhënë në mungesë ndaj tij.
Në pranga është edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, administratori i shoqërisë që fitoi koncensionin.
Në fakt siç raportohet SPAK ka lëshuar 8 urdhra, me masa të ndryshme, dy me masën ‘arrest me burg’ për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapajn.
Ndërkohë nga SPAK-u për dy zyrtarë të tjerë u caktua masa ‘arrest shtëpie’ si dhe për 4 të tjerë u caktua masa ‘detyrim paraqitje’.
Arrestimet e ndalimet e sotme janë bërë lidhur me dosjen e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë për të cilën SPAK ka hetuar prej më shumë se tre vite.
Denoncimi asokohe është bërë nga “Nisma Thurje”.
Historiku i koncesionit në shëndetësi dhe dyshimet për korrupsion
Në vitin 2015 qeveria vendosi që shërbimi i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale të mos ofrohej nga vetë spitalet, por të kalohej me koncension. Kështu me datë 10 dhjetor 2015, Ministria e Shëndetësisë, ka lidhur një kontratë koncesionare 10-vjecare me kompaninë “Sani Service”.
Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare, me një vlerë fillestare të parashikuar prej 9.6 miliardë lekësh.
Por, në vitin 2018, shpenzimet për shërbimet e sterilizimit të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale të kryera nga partneriteti publik-privat ishin 2 miliardë lekë, ose 28.3 për qind më shumë se plani prej 1 miliard e 560 milionë lekësh, që ishte programuar në buxhetin e vitit 2018.
Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ngriti një grup pune në datë 25 shkurt 2019 me mjekë specialistë për rishikimin e seteve kirurgjikale.
E gjitha kjo me qëllim uljen e numrit e mjeteve kirurgjikale në çdo set dhe në këtë mënyrë ulej edhe të kostot financiare.
Nga ana tjetër në dhjetor të vitit 2019, nisma “Thurje” bëri një kallëzim penal për zyrtarët publik të përfshirë në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, të cilët mund të kenë abuzuar me to.




