Policia e Kosovës ka arrestuar personin që dyshohet se e sulmoi futbollistin Belgin Jashari.
Kështu ka njoftuar PK-ja, e cila tha se ka ndërmarrë veprime urgjente hetimore lidhur me një incident të ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në Obiliq.
“Sipas informacioneve të disponueshme, më 25 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar në prani të prindit i dëmtuari, lojtari B.J”.
“Ndërsa më 26 prill 2025, është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari M.K., i lindur në vitin 1978. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti penal për veprën penale ‘Sulmi’, dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë”, tha Policia.
Futbollisti i grupmoshave U15 të ShF Fushë-Kosovës, Belgin Jashari, më 21 prill të këtij viti është sulmuar fizikisht gjatë ndeshjes që ekipi e tij e pati ndaj ShF Arsenalit.
Sulmi ndaj Jasharit, sipas klubit, ishte i motivuar nga përkatësia etnike e lojtarit si pjesëtar i komunitetit ahkali.
“Sulmuesi ka përdorur gjithashtu fjalor ofendues dhe gjuhë me përmbajtje të rëndë racore. Ky akt përbën shkelje të rëndë të etikës sportive, të të drejtave të njeriut dhe të vlerave që promovon futbolli si sport bashkues”.
“I bëjmë thirrje Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës, si dhe organeve kompetente, që të reagojnë menjëherë, të hetojnë rastin dhe të marrin masa konkrete ndaj personit përgjegjës, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, tha ShF Fushë-Kosova në reagim.
Lexo po ashtu: