Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për sulm me armë zjarri ndaj një autobusi në fshatin Pagarushë të Malishevës.
Sipas policisë, të enjten në mesditë është pranuar një informacion se në drejtim të një autobusi janë shtënë të shtëna me armë zjarri. Pas njoftimit, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Si rezultat i veprimeve policore, i dyshuari është arrestuar, ndërsa në koordinim me prokurorin e shtetit është ndaluar për 48 orë.
Gjatë operacionit është sekuestruar edhe një armë e llojit AK-47, e cila dyshohet se është përdorur në incident.
Nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”.


