Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar edhe një person të dytë mbi dyshimet e bazuara për përfshirje në një rast të vrasjes së rëndë, e që ka të bëjë me rastin e gjendjes së një personi të vdekur dy ditë më parë në një rrugë të Mitrovicës.
Si rrjedhojë e hetimeve lidhur me veprën penale ”vrasje rëndë”, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve mbi dyshime të bazuar, në orët e mesditës së sotme kanë identifikuar dhe arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar për përfshirje në veprën penale “vrasje e rëndë”, e ndodhur me datën 12 gusht 2023 në Mitrovicë.
Bëhet e ditur se me aktvendim të prokurorit të dyshuarit K. M., 25-vjeçar, i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.
Dje në raportin e saj ditor Policia e Kosovës ka njoftuar se një njeri është gjetur vdekur në një rrugë të Mitrovicës dhe për këtë rast ka nisur menjëherë hetimet, të cilat kanë dërguar deri te arrestimi i dy personave të dyshuar për lidhje me rastin.


