Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) njofton opinionin publik se, pas fillimit të zbatimit të dispozitave ligjore që rregullojnë hapjen e tregut të energjisë elektrike, konsumatorët individualë dhe disa Oda Ekonomike kanë parashtruar padi pranë gjykatave kompetente, konkretisht në Gjykatën Komerciale të Kosovës dhe në Gjykatën Themelore, me kërkesa për pezullimin e Njoftimeve për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike.
ZRrE rikonfirmon faktin se, në të gjitha proceset e konflikteve administrative të inicuar nga palët në procedurë, gjykatat kompetente kanë refuzuar si të pabazuara kërkesat për pezullimin e zbatimit të Njoftimeve për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike.
ZRRE informon publikun se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamente për Çështje Administrative me Aktvendimin A.nr. 1839/2025 të datës 19.06.2025 ka refuzuar propozimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të datës 12.03.2025, i cili ka pasur karakter informues.
Lexo po ashtuPezullohet vendimi i ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë energjetik
“Deri më tani, vetëm në një rast të veçantë, Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit me shenjën KA.nr. 283/25, ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësit dhe nuk nënkupton pezullimin e tërësishëm të procesit të hapjes së tregut”, thuhet në njoftim.
Tutje, ZRRE thotë se për më tepër, ky aktvendim nuk është i formës së prerë, pasi ZRrE do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të zbatimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike.
“ZRRE rithekson se procesi i liberalizimit është i bazuar në dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike Nr. 05/L-085, dhe në vendimin përkatës të ZRRE-së për daljen në treg të hapur për ndërmarrjet ekonomike, të cilët tejkalojnë njërin nga kriteret e përcaktuara: më shumë se 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro”, vijon reagimi.
Më tej, ZRRE thotë se mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg funksional, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në sektorin e energjisë, duke ofruar transparencë të plotë dhe mbrojtje të interesit publik