Gjykata e Apelit të Kosovës ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte hedhur aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxha, dhe shtatë të akuzuarve të tjerë. Ata, bashkë me Hoxhën, në cilësinë e zyrtarëve të NPB-së, akuzoheshin se i shkaktuan dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës në vlerë prej 28.7 milionë euro përmes tjetërsimit të pronave në Lakrishtë.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, i datës 22.04.2025, VËRTETOHET,” thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, Prokuroria kishte ushtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores me pretendimin e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit
Apeli konstatoi se shkalla e parë me të drejtë ka vendosur se Prokuroria nuk arriti të argumentojë ekzistencën e bashkëkryerjes në veprimet e të akuzuarve për të kryer veprat penale. Nuk u paraqitën prova që të lidhnin objektivisht dhe subjektivisht të akuzuarit me veprimet e pretenduara.
Gjykata e Apelit gjithashtu konstatoi se nuk u provua se veprimet e të akuzuarve ishin për përfitim të dobisë pasurore për personat e tretë – operatorët ekonomikë – dhe nuk u tregua me prova ndonjë mundësim kundërligjshëm për kompanitë e cituara në aktakuzë.
Sipas Apelit, ngritja e aktakuzës kërkon plotësimin e standardit të dyshimit të bazuar mirë, që nënkupton posedimin e provave të pranueshme që bindin një vëzhgues objektiv se veprimi i të akuzuarit përbën vepër penale.
Gjykata vlerësoi se është e drejtë e çdo shoqërie aksionare të nxjerrë rregullore të brendshme që përcaktojnë procedurat e menaxhimit të aseteve, dhe një veprim i tillë nuk përbën tejkalim të detyrave zyrtare. Në këtë rregullore të NPB-së, ishte paraparë që investitori të merrte vetëm fitimin nga shitja e aseteve dhe jo privatizimi i ndërmarrjes, siç pretendonte Prokuroria.
Gjykata e Apelit vuri në dukje se pretendimet e Prokurorisë për dëm material janë të pabazuara, pasi prona e kontestuar nuk është tjetërsuar dhe nuk ka prova që ajo ka kaluar në pronësi private. Shuma e pretenduar e dëmit përbëhet nga vlera e paluajtshmërisë së NPB-së dhe shpenzimet për taksën e lejes ndërtimore, që është paguar Komunës së Prishtinës në shumën 376,346.30 euro.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të përmirësuar më 16 shtator 2024, Hajdar Hoxha si kryeshef ekzekutiv i NPB-së, Lendita Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bashkim Pireva, në cilësi të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të NPB-së, si dhe Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli, në cilësi të anëtarëve të Komisionit Komunal Aksionar të NPB-së, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Kurse, Hoxha po akuzohet edhe për lidhje të kontartës së dëmshme,
Në aktakuzë thuhet se Hajdar Hoxha, Lendit Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kndërligjshme për personat e tretë, në dëm të pronës publike.
Ata akuzohen se më 21 nëntor 2020 kanë nxjerrë vendim për miratimin e Rregullores për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) Përmes Ndërtimit, duke qenë në dijeni se kjo rregullore nuk ka bazë ligjore në legjislacionin e aplikueshëm të Republikës së Kosovës. Aktakuza thotë se qëllimi ka qenë në bazë të kësaj rregulloreje të realizojnë Projektin e Ndërtimit në Lakrishtë.


