Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se anulimi i djeshëm i konferencës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në Prishtinë pas protestave kundër vizitës së saj nga udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ngre shqetësim.
Ai tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë pjesë e sistemit ligjor kosovar dhe informimi i publikut është një shtyllë thelbësore e mandatit të saj.
“Anulimi i konferencës për shtyp pas presionit të veteranëve të UÇK-së ngre shqetësime të mëdha. Autoritetet duhet të sigurojnë që gjykata të mund të kryejë punën e saj pa pengesa”, tha Rohde.
Dje një grup veteranësh së bashku me krerët e OVL-UÇK-së kanë protestuar para hotelit ku planifikohej të mbahej konferenca e Trendafilovës. Gjatë protestës u hodh edhe tym i zi.
Më pas, Dhomat e Specializuara konfirmuan se konferenca është anuluar për shkak të sigurisë publike.