Më shumë se 1.000 fluturime të kompanisë Lufthansa janë anuluar të mërkurën për shkak të grevës së punëtorëve.
Sa i përket fluturimeve të kësaj kompanie drejt Kosovës, gjatë ditës së sotme janë të planifikuara gjithsej katër fluturime për sot, dy nga të cilët deri më tani janë realizuar.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaNews, zëdhënësja e aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”, Valentina Gara, duke thënë se deri në ora 24.00 janë të planifikuara edhe dy fluturime tjera të kësaj kompanie, për të cilët deri më tani nuk ka raportim për anulim.
“Për të gjitha këto anulime të mundshme, gjatë ditës së djeshme i kemi njoftuar udhëtarët përmes mediave dhe rrjeteve sociale”, ka thënë Gara për KosovaNews.
Ndryshe, vendimi i stafit të kësaj kompanie për greva, ka prekur dhjetëra mijëra pasagjerë, teksa kriza me udhëtime vazhdon të rritet në Evropë./KosovaNews/