Analisti Xhevdet Pozhari ka ngritur shqetësime mbi një rritje të pazakontë të votave të LDK-së nga diaspora, duke aluduar për një ndërhyrje të mundshme në këtë proces. Në një status të tij, Pozhari rikujton deklaratën e liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili para zgjedhjeve foli me bindje për 40 mijë vota nga diaspora, duke lënë të kuptohet se ai kishte informacion paraprak për këtë rezultat.
“Tani, me trendin e parë të votave me zarf të diasporës, po vërehet një rritje e pazakontë e LDK-së. Disa deputetë të kësaj partie tashmë e kanë kuptuar se një dorë inxhinieringu ka vepruar duke përzgjedhur emrat e njëjtë në pjesën dërrmuese të këtyre fletëvotimeve”, shkruan Pozhari.
Sipas tij, kjo situatë ka ndikuar që të favorizohen njerëzit e afërt të kreut të LDK-së, ndërsa “sfiduesit” e brendshëm brenda partisë të mbesin pa mbështetje.
Pozhari ngre një sërë pyetjesh, duke vënë në pikëpyetje vullnetin real të votuesve të diasporës. Ai sugjeron se mund të ketë raste ku individë kanë votuar pa dijeninë e tyre ose ku votat janë manipuluar në një mënyrë të organizuar.
“Këto janë vetëm disa dilema për atë që pritet të zbardhet në të ardhmen. Nuk është çudi të dalin njerëz të cilët as që ia kanë haberin se kanë votuar me postë!”, përfundon ai.