Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, ka drejtuar akuza të forta në drejtim të ish-qeverisjes komunale të udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përcjellë KosovaNews.
Në një fjalim të drejtpërdrejtë dhe kritik, Aliu denoncoi atë që e cilësoi si keqpërdorim flagrant të pronës publike nga udhëheqësit e mëparshëm.
“Tokën publike të destinuar për park, ish-kryetari bashkë me djalin e mixhës e shpronësuan dhe ndërtuan kompleksin banesor të vetin. Ju ia keni marrë autostradën Shtimes dhe e keni çuar në Malishevë”, deklaroi Aliu me tone të ashpra.
Ai vazhdoi me krahasime ndërmjet qasjes aktuale të tij dhe asaj të mëhershme të PDK-së në këtë Komunë:
“Ne ia kemi bashkangjitur pronave komunale mbi 12 hektarë tokë me vendim qeveritar. Aty po ndërtohet qyteti i ri, administrata e re. Ndërsa ju, Parkut të Qytetit ia keni hequr statusin e pronës publike dhe e keni kthyer në pronë private, duke ndërtuar restorantin e ish-kryetarit dhe ish-asamblistit tuaj. Qyky është dallimi. Ne ndërtojmë QKMF, treg, parqe, ndërsa ju keni privatizuar parkun për interes personal.”
Aliu theksoi se kjo është shkelje e ligjit dhe në një shtet të së drejtës “dikush duhet të përfundojë në burg”.
Aliu gjithashtu përmendi mbështetjen e qeverisë qendrore për projektet në komunë:
“Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Shtimës, ka sjellë 50 milionë euro investime gjatë këtyre katër viteve. Po, është e vërtetë që e kemi qeverinë, por ne me ato investime po ndërtojmë për qytetarët, jo për klane familjare.”
Kryetari i Shtimes Qemajl Aliu godet PDK-në: “Tokën publike të destinuar për park, ish-kryetari bashkë me djalin e mixhës e shpronësuan dhe ndërtuan kompleksin banesor të vetin. Ju ia keni marrë autostradën Shtimes dhe e keni çuar në Malishevë"👇
Posted by KosovaNews on Monday, July 7, 2025