Prokuroria e Shqipërisë e ka pranuar për herë të parë se publikimi i dokumenteve nga hakerat iranianë ka cënuar sigurinë kombëtare.
Policia e shtetit si reagim për publikimin e postës elektronike të ish-drejtorit Gledis Nano, ka treguar se ka nisur një hetim ndërkohë që lajmëron mediat që të mos publikojnë asnjë prej të dhënave që po publikojnë hakerat.
Sipas policisë, Prokuroria ka urdhëruar mediat te mos të mos publikojnë asnjë nga të dhënat e hakeruara, sepse në këto kushte do të kryejnë një vepër penale.
Një javë më parë kryeministri Edi Rama deklaroi se rrjedhja e të dhënave nuk ishte serioze
“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”, shkroi Rama në një postim në Tëitter.
Për të zbatuar këtë vendim prokuroria i ka kërkuar njësisë C, njësia operacionale për luftën kibernetike por ka kërkuar edhe bashkëpunim me Agjencinë e komunikimeve elektronike si dhe autoritetin e medias audiovizive që të sigurohen që mediat audiovizie, të shkruara apo online si dhe në rrjete sociale të mos publikohen asnjë nga dokumentet.
Nëse dikush guxon të bëjë diçka të tillë, Policia thotë se do të nisë menjëherë një procedim penal, sipas njoftimit të lëshuar. Ky vendim i prokurorisë thuhet se bazohet në nenin 103 për ndalimin e publikimit të aktit.
Por në fakt neni 191 pika a e kodit të procedurës penale përcakton qartë se prokuroria nuk mund të ndalojë mediat të publikojnë të dhëna që tashmë janë bërë publike.
Këtë vendim e merr vetëm gjykata. Gjithsesi akti i paprecedente i prokurorisë dëshmon ndjeshmërinë e lartë të të dhënave të e-mailit të ish-drejtorit të policisë, si dhe rrezikshmërinë faktike të sulmit të hakerave, ndaj sigurisë kombëtare.
Gjatë ditës së djeshme u raportua se në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka zbuluar një plan për të vrarë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe dy persona të tjerë, nga një shtetas nga Shqipëria.
Të paktën kështu rezulton në një dokument të bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.
Në dokument theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.
I dyshuari që ishte porositur të kryente vrasjet, është Prek Kodra, shtetas shqiptar.
Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve.
Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa lëviz në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.
I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar, i datëlindjes 01.05.1976.
E po dje pas raportimeve edhe Qeveria e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht kërcënimin që ishte bërë ndaj kryeministrit Albin Kurti në vitin 2021.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në njoftimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës, raporton KosovaNeës.
Tutje nga Qeveria e Kosovës thuhet se “Rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik”.


