Gjykata e Apelit e Kosovës e ka hedhur poshtë si ta pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, e cila kërkonte prishjen e aktgjykimit lirues ndaj ish-kryetrarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 28 zyrtarëve të tjerë dhe kthimin e çështjes në rigjykim.
Kështu Apeli me vendimin që ka marrë së fundi, e të cilin e ka siguruar KosovaNews nuk ka marrë për bazë akuzat e prokurorisë për korrupsion me tender e krim të organizuar, por ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Pejë.
“REFUZOHET si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, P.nr.227/16, të datës 13.07.2022, VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Burim Ademi – kryetar i kolegjit, Vaton Durguti- gjyqtar referues, Bashkim Hyseni – anëtar i kolegjit.
GJYKATA E APELIT E KOSOVËS- Departamenti Special mori këtë vendim:
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka ngarkoheshin ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 26 zyrtarë tjerë komunal dhe 9 operator ekonomik.
PSRK pretendonte se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara.
Në këtë rast, PSRK ngarkonte të akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.
Në këtë rast, fillimisht kanë qenë të akuzuar 39 të pandehur, prej të cilëve 29 kanë qenë zyrtar komunal dhe 10 operator ekonomik, mirëpo ky numër është ulur në 36 pasi është pushuar procedura për dy të akuzuar, kurse ndaj një tjetri është veçuar procedura.
Më konkretisht Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 16 shtator 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, IIjaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj-Shabanaj, Ibrahim Foniqi, Behar Mehmeti, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku, Nazmi Jashari, Basri Kqiku , Avdi Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, për veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.
Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish-kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzë.
Ndryshe, procedura kishte pushuar për të akuzuarit Heset Mahmuti dhe Behar Mehmetit kurse ndaj Burim Govorit ishte eçuar procedura.


