Politikania ruse që bënte thirrje për paqe në Ukrainë ka humbur apelin kundër vendimit të Komisionit të Zgjedhjeve për të mos pranuar kandidaturën e saj për garën presidenciale në Rusi.
Yekaterina Duntsova ka promovuar vizionin e saj për Rusinë më njerëzore, paqësore dhe të gatshme për bashkëpunim me shtetet e tjera.
Mirëpo Komisioni Zgjedhor kishte refuzuar nominimin e saj, duke përmendur disa gabime në dokumente.
Pasi ka humbur apelin, Duntsova ka thënë se do të nisë punën për formimin e partisë për paqe, liri dhe demokraci.
Duntsova kishte kërkuar nga liberalët që ta nominonin, por udhëheqësit e partisë e kanë refuzuar menjëherë këtë ide.
Të mërkurën, partia komuniste e Rusisë, ka nominuar veteranin Nikolai Kharitonov. Boris Nadezhdin, kritik i veprimeve të Rusisë në Ukrainë, ka kandiduar si i pavarur.
Duntsova u ka bërë thirrje përkrahësve të saj që të ndihmojnë Nadezhdinin të sigurojë nënshkrimet për t’u kualifikuar për zgjedhjet presidenciale.
Presidenti Vladimir Putin ka kandiduar si i pavarur, por ka përkrahjen e partisë “Rusia e Bashkuar”.
Me ligjet ruse, kandidatët e pavarur duhet të nominohen nga së paku 500 përkrahës dhe gjithashtu duhet të mbledhin së paku 300 mijë nënshkrime nga 40 rajone ruse.


