Njësi të Specializuara të Policisë së Kosovës nga orët e mëngjesit të sotëm janë duke kryer një operacion të gjerë të kontrolleve në disa prej lagjeve luksoze të kryeqytetit. Prezenca e Specialëve edhe sot në këto lokacione është pjesë e operacionit Brezovica.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se aksioni “Brezovica 6” nuk ka përfunduar ende, teksa konfirmon se ka persona të cilët janë shoqëruar në polici.
Kryeprokurori Jashari tha se pas përfundimit të aksionit prokuroria do të del me një komunikatë për media.
“Aksioni ende s’ka përfunduar. Ka persona të shoqëruar në polici. Kryesisht dyshohen për marrje dhe dhënie ryshfeti, keqpërdorime etj”, tha Jashari.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksioni po zhvillohet në bashkëpunim me Prokurorinë e Ferizajt.
Zyrtarët policorë kanë kryer bastisje në lagjen “Velania” të Prishtinës si dhe në rreth 10 lokacione të tjera.
E në mëngjes në zonat ku po kryhen bastisjet përpos njësive speciale dhe atyre të krimeve të rënda është parë edhe prokurori që po e heton rastin Rasim Maloku.
Maloku në një deklaratë të shkurtër ka konfirmuar se operacioni është pjesë e hetimit të rastit Brezovica.
“Deri më tani kemi arrestuar 7 persona në këtë operacion dhe kemi sekuestruar disa prova përfshire edhe armë” ka thënë Maloku.
I njëjti ka konfirmuar se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe disa vetura.
Rasti Brezovica deri më tani ka dërguar në burg mbi 30 persona përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtura të maleve të Sharrit.
Dosja ngritë dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro mitos nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.
Deri më tani prokuroria ka bllokuar prona në vlerë mbi 5 milionë euro të cilat po mbahen të sekuestruara për llogari të këtij hetimi.