Njësi të Specializuara të Policisë së Kosovës nga orët e mëngjesit të së mërkurës kanë kryer një operacion të gjerë të kontrolleve në disa prej lagjeve luksoze të kryeqytetit. Prezenca e Specialëve edhe dje në këto lokacione ishte pjesë e operacionit Brezovica, i nisur kohë më parë.
Lidhur me këtë rast Policia e Koosvës përmes raportit 24 orësh ka shpalosur detaje nga aksioni.
“Në lidhje me rastin më 21.09.2022 janë arrestuar shtatë të dyshuar meshkuj kosovar nën dyshimin se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale”, thuhet në raport.
Policia njofton se gjatë kontrollit në dhjetë lokacione të ndryshme (Prishtinë dhe Podujevë), janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale; dy pistoleta, gjashtë vetura, pesë llap-top, dy hard-disk, 15 USB, tri vula dhe dokumente të ndryshme.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.
Lidhur me rastin ka dhënë detaje dje edhe Prokuroria Themelore e Ferizajt, ku ka njoftuar se personat e arrestuar janë ndaluar, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.
Në këtë aksion i cili është vazhdimësi i rasteve të mëhershme, bëhet e ditur se janë kontrolluar dhe bastisur 11 lokacione të ndryshme, konkretisht tetë lokacione në qytetin e Prishtinës, dy në Podujevë dhe një në Fushë Kosovë.
Rasti Brezovica deri më tani ka dërguar në burg mbi 30 persona përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtura të maleve të Sharrit.
Dosja ngritë dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro mitos nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.
Deri më tani prokuroria ka bllokuar prona në vlerë mbi 5 milionë euro të cilat po mbahen të sekuestruara për llogari të këtij hetimi./KosovaNews/


