Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar lidhur me Projektligjin për Pagat duke thënë se është degradues për pozitën e kryetarit.
Sipas AKK-së, paga e kryetarëve të komunave të Kosovës është nënçmuese.
Madje AKK konsideron se ligji i ri edhe njëherë atakon lidershipin në nivelin lokal, me theks, kryetarët e komunave sepse në një formë del kundër përgjegjësive që ka një kryetar në raport me një pozitë qeveritare me pagë të ngjashme, (psh.një Zëvendësministër).
“Në asnjë mënyrë postulati i reklamuar nga Qeveria (e Kosovës) që për punë të njëjtë të jetë paga e njëjtë nuk vlen në këtë rast dhe jo vetëm. Përjashtim kryetarin e Kryeqytetit, paga e kryetarëve të komunave të Kosovës është nënçmuese edhe për mënyrën e zgjedhjes edhe për përgjegjësitë që ka kryetari i Komunës”, thuhet në reagimin e AKK-së.
Ata theksojnë se kryetari i komunës përgjegjësitë i ka tejet të mëdha.
“Kryetari i komunës sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, përgjegjësitë i ka tejet të mëdha, përveç që zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, kryetari i komunës ndër të tjera përfaqëson komunën dhe ka përgjegjësi direkte ndaj qytetarëve të saj; udhëheq ekzekutivin e komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyr administrimin financiar të komunës; ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të komunës apo komiteteve të tij”, theksojnë ata në reagim.
