Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, gjatë vizitës së tij në Japoni, përveç takimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, ka takuar edhe anëtarët e grupit të miqësisë parlamentare Kosovë – Japoni dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi.
Zëvendësministri Ahmeti, në takime të ndara, ka takuar edhe homologen e tij, zëvendësministren për Punë të Jashtme të Japonisë, Yoshikawa Yummi.
“Në takim u shqyrtuan mundësitë e përafrimit të ekonomive të të dyja vendeve dhe u paraqitën përparësitë e investimit në Republikën e Kosovës. Me rastin e shënimit të pesëmbëdhjetë vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë – Japoni, zëvendësministri Ahmeti ka ftuar homologen e tij znj. Yoshikawa, që vitin e ardhshëm të vizitoj Kosovën”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të MPJD-së.
Zëvendësministri Ahmeti ka takuar edhe zëvendësministrin e Mjedisit, Kunisada Isato dhe e ka falënderuar atë për mikpritjen e xhudistëve të Kosovës në qytetin Sanjo gjatë lojërave olimpike si dhe kanë diskutuar për mundësit e bashkëpunimit në fushën e mjedisit dhe energjisë.
Gjithashtu, bëhet e ditur se zëvendësministri ka takuar edhe personalitete të tjera të larta të këtij vendi.
Në përmbyllje të kësaj vizite në Tokio, takim i ngrohët ishte edhe takimi me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Japoni. Në këtë takim morën pjesë një numër i studentëve nga Kosova, të cilët përmes mbështetjes së qeverisë japoneze janë duke kryer studimet në Japoni, thuhet pos tjerash në njoftim.





