Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë në detyrë përmes të cilit miratoi në parim kërkesën e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për huamarrje deri në 2,540,000 euro.Sipas AGK-së, nëpërmjet këtij vendimi mundësohet funksionimi në së paku 3 muajt e ardhshëm për RTK-në, dhe ekzekutimi i pagave për 700 punonjësit e saj.
“AGK-ja ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit dhe i përgëzon ata për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar. AGK-ja e fton Qeverinë në detyrë të Kosovës, dhe partinë politike që e udhëheq atë, Vetëvendosje që të ndalojë presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.” – thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK po ashtu bën thirrje që legjislatura e re të miratojë një Ligj të ri për Transmetuesin Publik, që do të garantonte funksionimin e pavarur e të papenguar të RTK-së, duke përfshirë edhe gjetjen e zgjidhjes për pronën.
Miratimin e kërkesës së RTK-së Qeveria në detyrë e Kosovës e ka bërë në mbledhjen elektronike që ka mbajtur të premten, më 15.08.2025.Gjatë ditës, më 15.08.2025, Hysen Hundozi, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, njoftoi në Facebook se për shkak të mungesës së buxhetit të RTK-së, rrjedhimisht mungesës së pagave për rreth 700 punëtorë të mediumit publik, kanë vendosur të aplikojnë për kredi në Ministrinë e Financave.Hundozi u është drejtuar kolegëve të tij duke u thënë se menaxhmenti i RTK-së nuk është ndalur së kontaktuari institucionet vendore e ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje alternative për tejkalim të situatës.
“Për shkak të pamundësisë për të komunikuar drejtpërdrejt me themeluesin tonë, Kuvendin e Kosovës, ne iu kemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të cilën kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë për tejkalimin e gjendjes” – ka shkruar mes tjerash Hundozi.
Sipas tij, janë shqyrtuar alternativa të shumta deri në arritjen e një modaliteti të ligjshëm që mundëson ndihmën e Qeverisë për RTK-në deri në konstituim të Kuvendit.“Kërkesa jonë zyrtare për kredi është dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe ajo po trajtohet me prioritet. Presim që shumë shpejt ajo të realizohet, në mënyrë që ne të vazhdojmë normalisht punën tonë” – ka deklaruar Hundozi.
Pas njoftimit të Hundozit për kredinë që ka kërkuar RTK, Hekuran Murati, ministri në detyrë i Financave, i akuzoi partitë e ish-opozitës se për shkak të “bllokimit” të konstituimit të Kuvendit e kanë shkaktuar këtë gjendje në mediumin publik.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ministri Murati ka përkujtuar se buxheti për RTK-në alokohet sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Kosovës, kurse Thesari e bën vetëm ekzekutimin sipas atij vendimi.
“Komisioni për Buxhet që do duhej me i nda mjetet, nuk ekziston aktualisht sepse partitë opozitare po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit duke mos marrë pjesë në votim tash e disa muaj” – ka shkruar Murati më 15.08.2025.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), në ndërkohë, më 15.08.2025, doli me njoftim se e mbështet nismën për protestë të disa kolegëve të RTK-së që nuk janë pjesë e asnjë sindikate.Protesta planifikohet të fillojë në ora 09:30 të datës 18.08.2025.
“Bëjmë thirrje pa dallim që të gjithë punëtorët të dalin dhe të mbështesin çdo protestë për të drejtat e punëtorëve dhe mbrojtjen e mediumit publik” – thuhet në njoftimin e SPERTK.Kjo Sindikatë ka njoftuar që aktivitetet sindikale nuk do të ndalen deri në arritjen e qëllimeve.“
Vërejtje: Nëse pagat dalin në llogari para ditës së protestës, atëherë do të dërgohet njoftimi për anulimin e saj” – thuhet tutje në njoftim.Disa punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) protestuan më 06.08.2025 para Kuvendit të Kosovës, për shkak të mosalokimit të buxhetit për RTK-në dhe mungesën e pagave për 700 punonjësit e mediumit publik.


