Deputeti Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës tregoi se kjo parti nuk e përkrah dhe nuk do ta votojë Projektligjin për Zyrtarët Publikë në formën që është aktualisht.
Ai renditi disa arsye se pse ky projektligj është përpjekje e Qeverisë për të degraduar administratën shtetërore dhe komunale, me theks shërbimin civil.
Sipas Veliut ky projektligj është antikushtetues sepse cenon rëndë të drejtën e punësimit si një prej të drejtave kryesore të njeriut dhe për shkak të përpjekjes së qeverisë për të përvetësuar kompetencën e komunave për të rekrutuar stafin e tyre.
“Në vend se ky projektligj të reflektonte përballë gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese të dhëna përmes aktgjykimit të publikuar më 12.07.2020, me dispozitat që përmban duket se e përbën saktësisht të kundërtën”, tha ai në fjalën e tij në Kuvend.
Veliu shtoi se nuk ka logjikë juridike e as politike që një pushtet t’i rekrutojë stafin civil një pushteti tjetër, pasi që pushteti lokal është kategori kushtetuese e veçantë nga pushtetit qendror.
Mospajtim kishte edhe me shtimin e masave disiplinore të pezullimit nga puna pa pagesë deri në 6 muaj nga komisioni disiplinor dhe të uljes në pozitë apo degradimit, masë e cila tha që ka qenë në kohën e UNMIK-ut, për të cilën mbase qeveria ka nostalgji.
Ky projektligj, sipas tij, pamundëson edhe rritjen në pozitë të nëpunësit civil të cilët dëshmojnë performancë të mirë.
Megjithatë, ai u pajtua me një dispozitë për të cilën e përgëzoi ministrin Sveçla. Ai e kishte fjalën për nenin 36 për praktikantët, e cila më parë nuk ka qenë e rregulluar me ligj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili prezantoi sot këtë projektligj tha se ai do të ofrojë mundësi të punës praktike për gjeneratat e reja.
Ai tha se ky projektligj është pika kyçe për reformën e administratës publike dhe rrjedhimisht adresimin e nevojave të kësaj shoqërie.
Problemet, ngecjet dhe mungesat në administratën publike, sipas tij janë të njohura dhe të evidentuara në raportet vendore dhe ndërkombëtare.
“Administrata e mbyllur dhe pamundësi për gjithëpërfshirje, ndërhyrjet politike dhe nepotizëm në proceset e rekrutimit, mungesa e efikasitetit dhe kapaciteteve të limituara profesionale, mungesa e një sistemi efikas për matjen e performancës dhe llogaridhënies menaxheriale, mungesa e përfaqësimit të grave, komuniteteve dhe personave me aftësi të kufizuara, mungesa e normave gjithëpërfshirëse që rregullojnë marrëdhëniet e zyrtarëve të bazuar në parime”, sipas Sveçlës janë disa nga problemet kryesore që duhen zgjidhur përmes këtij projektligji.
Nisma e Qeverisë së Kosovës për nxjerrjen e një ligji për reformën e administratës shtetërore deri tani ka marrë përkrahje nga një pjesë e shoqërisë, kurse një pjesë tjetër, sidomos ajo e opozitës e ka kritikuar.
Sido qoftë nisma për Reformë në Administratës Publike (RAP) është një proces dinamik që synon rritjen e kapaciteteve të saj për ofrimin e shërbimeve më të mira publike dhe me ligjin e ri Qeveria po synon që të sigurohen emërime të bazuara në merita në të gjithë administratën publike përmes procedurave transparente dhe mekanizmave të monitorimit, raporton KosovaNews.