Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas dështimit të seancës së 22-të konstituive, tha se partia që ai drejton ka ofruar alternativa për dalje nga situata, por sipas tij, VV-ja nuk do, raporton Ekonomia Online
Ai theksoi se LDK-ja nuk ka një “çantë magjike” për të zgjidhur krizën politike dhe se është e domosdoshme të arrihet një marrëveshje politike.
“Qëndrimet e LDK-së dihen. I takon VV-së që të bëjë zgjidhje, partitë tjera nuk kanë numra, si duket as partia e parë nuk i ka. Turp, marre çka po ndodh këtu, më shumë se kaq nuk mund të bëjë LDK-ja, nuk ka çantë magjike, duhet të bisedojmë, të flasim për zgjidhjen eventuale. Duhet marrëveshje politike, e vërteta është e thjesht, i ke 48 deputetë dhe nuk je në gjendje të ulesh me dike për zgjidhje dhe thua që nuk është urgjencë, LDK nuk mund të bëjë magji”, deklaroi ai.
Abdixhiku gjithashtu u shpreh se takimet e tij të shpeshta me Fatmir Limajn janë miqësore dhe nuk lidhen me çështjet parlamentare.
Ai shtoi se do të ketë diskutime për bashkëpunime, sidomos për zgjedhjet lokale që po afrohen, por theksoi se zgjidhja në Kuvend është e pamundur nëse partia kryesore nuk tregon vullnet për zgjidhje, duke akuzuar VV-në se po krijon ambiente të pavenda.
“Do të flasim për çështje të bashkëpunimit, po afrohen zgjedhjet lokale. Nuk mund të bëjmë zgjidhje në një parlament kur partia e parë nuk do të bëjë zgjidhje, insiston vazhdimisht të krijojë ambiente të tilla cirku”, përfundoi ai.