Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) organizoi një mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Bukoshi mbeti një figurë me vizion dhe me bindje të palëkundur për shtetin e Kosovës, duke theksuar rolin e tij si një nga themeluesit e partisë.
“Sot, kur shikojmë prapa, e kuptojmë se sa e madhe ishte barra që mbajti. Historia jonë politike shpesh u bë e ashpër, por ai mbeti figurë me vizion dhe me bindjen se Kosova do të bëhet e drejtë. Ishte bashkënënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Nga marsi i vitit 2011 shërbeu si zëvendëskryeministër.
Ne nuk e ndajmë vetëm dhimbjen, por edhe përgjegjësinë që amanetin e tij ta çojmë përpara. Ne jemi brezi që do ta ruajë trashëgiminë. Duhet të punojmë për shtet, sepse vetëm kështu sakrifica e Bukoshit bëhet e realizueshme. Ai ishte njëri ndër themeluesit tanë dhe pa të nuk mund të kuptohet historia e LDK-së. Ne do ta kujtojmë përherë si njeriun që na mësoi shërbimin ndaj vendit,” tha Abdixhiku.
Ora Bukoshi, vajza e Bujar Bukoshit, u shpreh me emocion se për familjen ai ishte një prind, bashkëshort dhe gjysh i përkushtuar. Ajo shtoi se vlerësimi i veprës së tij përbën ngushëllim në dhimbjen e tyre.
“Për ne ai ishte gjithnjë këtu – prind, bashkëshort e gjysh me plot dashuri dhe përkushtim për familjen. Sot më zbehen fjalët… Ai, sigurisht, do të hidhte ndonjë element humori. Në dhimbjen tonë është ngushëllim i madh kur veprat e tilla vlerësohen,” tha ajo.