Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas intervistimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Peci u mor sot në pyetje në cilësinë e të dyshuarit nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës, teksa Abdixhiku thotë se shpreson të ketë lindur guximi i prokurorëve që të trajtojnë secilin akt korruptiv, shkruan IndeksOnline.
“Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!” shkroi Abdixhiku.
Kujtojmë se bastisjet e sotme në MBPZHR dhe tri lokacione të tjera patën të bëjnë me dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.