Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas lirimit të tre policëve kosovarë nga shteti serb, ka shprehur mirënjohjen për lirimin e tyre dhe ka falënderuar miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për angazhimin dhe presionin e tyre për të siguruar lirimin e menjëhershëm të policëve.
Ai ka theksuar se lirimi i tre policëve është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në një komunikatë të LDK-së bëhet e ditur se Abdixhiku ka vlerësuar përpjekjet e miqve ndërkombëtarë dhe Qeverisë së SHBA-së për t’i dënuar veprimet agresive të Serbisë dhe për të shtuar presionin për lirimin e tyre.
Kreu i LDK-së ka theksuar se sjelljet agresive e luftënxitëse të Serbisë duhet të dënohen nga komuniteti ndërkombëtar dhe se koordinimi i veprimeve të institucioneve të Kosovës me aleatët është shumë i rëndësishëm në këtë kontekst.


