Dy ditët e fundit, më 23 dhe 24 gusht për vizitë në vendin tonë ishin i dërguari =i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në përpjekje për të shtensionuar situatën dhe për të gjetur zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve, pasi nga 1 shtatori pritet zbatimi i reciprociteti në këto dy çështje.
Escobar e nisi vizitën e tij në Kosovës të martën ku ka zhvilluar takim me presidenten Vjosa Osmanin e pastaj edhe me liderët opozitarë. Kurse dje Escobar së bashku Lajçak pas takimit me Osmanin kanë mbajtur një takim tjetër edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik BIslimi.
Pas këtyre takimeve ndonëse nuk kanë dhënë detaje ata janë prononcuar për media.
Emisari i ShBA-së, Gabriel Escobar ka theksuar se janë të angazhuar për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi në Kosovë më 1 shtator.
Ai bëri të ditur se janë siguruar nga Kosova dhe Serbia se nuk do të ketë dhunë më 1 shtator, atëherë edhe kur hyjnë në fuqi dy vendimet qeveritare për targat dhe reciprocitetin në dokumente.
Escobar potencoi se pret nga palët propozime konkrete për të gjetur një zgjidhje.
“Mendimi im i vetëm është se unë jam këtu për të dhënë mbështetjen për të gjetur një rrugë përpara për të gjitha këto çështje të vështira. Detajet se si shkojnë përpara janë në të vërtetë për dialogun, por unë doja të sigurohesha që njerëzit të kuptojnë se vizita ime këtu ishte me të vërtetë për të treguar mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE”.
“Të dyja palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator. Pra, tani jemi këtu për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira, dhe i gjithë ai optimizëm të përkthehen në një propozim konkret”, tha ai.
Edhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak është shprehur se janë duke punuar të gjejnë një zgjidhje në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.
Lajçak tha se ka pasur takime të mira me krerët institucionalë në Kosovë, mirëpo procesi do të vazhdojë për të shmangur siç tha ai “çfarëdo tensioni më 1 shtator”.
“Diskutim shumë i gjatë dhe i detajuar me Kryeministrin dhe gjithashtu me zonjën presidente. Por procesi vazhdon, sigurisht që kemi edhe disa takime të tjera këtu dhe më pas do të vazhdojmë në Beograd. Por, mesazhi më i rëndësishëm është se ne jemi këtu së bashku me Gabriel Escobar, para së gjithash për të treguar se uniteti midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara është i plotë, dhe nuk mund të jetë më i mirë, dhe ne po punojmë krah për krah kur është fjala për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti që komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar për atë që pamë në terren më 31 korrik, dhe presin që ne të gjithë së bashku, negociatorët, lidershipi i Kosovës dhe lidershipi i Serbisë të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht, dhe kjo është arsyeja pse ne jemi këtu”, tha ai.
Ai theksoi së gjendet në Kosovë për të siguruar se asgjë e keqe nuk do të ndodh me datën 1 shtator.
“Sapo pata një diskutim shumë të gjerë me kryeministrin dhe Besnik Bislimin dhe padyshim që do të ishte gabim nëse do të hyja në detaje në këtë pikë. Siç thashë ky ishte një diskutim shumë i rëndësishëm dhe ne po vazhdojmë misionin tonë….Ne jemi këtu për t’u siguruar që asgjë e keqe nuk do të ndodhë…Nuk do të flas për detaje dhe shpresoj ta kuptoni….Unë jam optimist. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu. Nëse nuk do të besoja se ka një zgjidhje, as që do të vija. Siç thashë, ky ishte një takim i rëndësishëm në thelb dhe i dobishëm, por do të shohim pas këtij takimi, pas kësaj, do të ishte shumë herët për të dhënë ndonjë përfundim në këtë moment, por ishte një takim shumë i mirë”, tha mes tjerash Lajçak.
Edhe pas takimeve, presidentja Osmani ka shkruar në Facebook se Kosova është palë konstruktive, e përgatitur dhe e angazhuar në procesin e dialogut të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.
“Në takimin me të dërguarit e posaçëm Lajçak dhe Escobar shpreha përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët tanë, duke potencuar se angazhimi i vendit tonë në dialog është i bazuar në mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka theksuar se Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane.
“Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie”, ka shkruar Osmani.
E përmes një kumtese për media, Zyra për media e kryeministrit ka bërë të ditur se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke.
“Derisa marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut.
Kryeministri Kurti falënderoi Escobar dhe Lajçak për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuar artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se kanë mbetur edhe tetë ditë deri më 1 shtator, kur Kosova, sipas Qeverisë, do të nisë zbatimin e vendimeve për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.
Kurti tha se në Bruksel ka shkuar me propozime konkrete dhe ka qenë i gatshëm që të nënshkruar ato për të cilat ka pasur dakordim më herët, por që pala serbe ka kundërshtuar të nënshkruar dokumentet.
“Unë kam shkuar atje me propozime konkrete. E dini që takimi ka qenë dashur të mbahet në korrik, por është shtyrë pasi pala serbe ka kërkuar shtyrjen. Ne e theksojmë se marrëveshja duhet ta ketë në qendër njohjen… por nuk ka patur gatishmëri nga pala tjetër për asnjë nënshkrim”, ka thënë Kurti.
Ai tha se deri sot nuk ka folur për takimin ën Bruksel, pasi që ka qenë një lloj dakordimi që mos të acarohet ecja përpara në dialog, por kjo nuk u respektuar nga pala serbe, e cila sipas tij, “duke përdorë retorika skandaloze edhe nuk po i kontribuon dialogut për marrëveshje”.
Në adresimin e tij para gazetarëve, Kurti përsëriti se vetë presidenti i Serbisë duke e nënshkruar marrëveshjen e vitit 2016, e ka pranuar që targat me akronimet KM, PR, PZ e UR janë ilegale dhe se mundësia për regjistrim me to është e përkohshme deri në vitin 2021.
“Targat me akronimet ilegale dhe ato me KS nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim. Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe buron prej kësaj shtetësie dhe këtij sovraniteti dhe nuk mund të legjitimojë neutralitet vetanak ndaj vetë statusit të saj, sepse njëri prej opsioneve ka qenë që ne të prodhojmë targa neutrale”, tregoi Kurti.
Ai theksoi se Republika e Kosovës nuk prodhon targa të UNMIK-ut dhe kjo do të jetë e pamundur sa të jetë në udhëheqje të Qeverisë.
“Opsionet që janë të pranueshme për ne janë sipas kushtetutës ligjeve dhe në parimet e reciprocitetit. Kërkesat që Kosova të prodhoj targa neutrale nuk vijnë në konsiderim me mua si kryeministër. RKS janë tabelat e Kosovës. Dhe kjo është në përputhje me zotimet e Beogradit në Bruksel dhe ata nuk duhet të prodhojnë targa me akronime të tilla. Targa të UNIMIK nuk prodhon Republika e Kosovës. Unë nuk do të isha kryeministër po të mos ishte Kosova shtet e Republikë dhe s’ka si të jetë ndryshe”, është shprehur Kurti./KosovaNews/