Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën e Kuvendit të hënën ku po raporton kryeministri Albin Kurti lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ka pasur një varg kritikash për të.
Abdixhiku e kritikoi Kurtin për mungesë transparence sa i përket dialogut, ndërsa tha se “kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit, nuk ka treguar askush asnjëherë”.
Ai ka thënë se Kurti duhet të pranojë se para vetës e ka një marrëveshje të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013.
“Janë dy rrugë, ta zhbëni këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe dy të zbatohet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.
Sipas tij, nga kjo perspektivë e sotme shihet që Kurti nuk ka arritur asnjë nga synimet.
“Zero kredibilitet. Pozicionet zyrtare të Kosovës janë dëmtuar në këtë proces dialogues. Në temën e dialogut kur flasim për pozicione zyrtare, kujtojmë dy pozicione të rëndësishme. I pari është programi qeverisës, i dyti është dokumenti njëfaqësh i dorëzuar në gusht të vitit të kaluar. Këtë platformë e kishte prezantuar te Vuçiqi në Bruksel e pastaj në Qeverinë e Kosovës. Në programin qeverisës, Kurti flet për arritjen e një marrëveshje finale në të cilën përfshihen njohja reciproke me Serbinë, njohja e pesë vendeve të BE-së, dhe anëtarësimi në OKB. Në këtë dokument Kurti flet edhe për koordinim të ngushtë me opozitën dhe aleatët ndërkombëtarë. Në përmbajtjen e dokumentit të dytë aty pozicioni i kryeministrit dhe Kosovës është i përqendruar në gjashtë kapituj”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se asnjë nga elementet nuk janë të përfshira në dialogun që po negocion Kurti.
Ai ka thënë se Kurti po diskuton pa e pasur njohjen në qendër.
Sipas tij, dialogun e ka kthyer në betejë partiake të brendshme në vend.
“Të jepet përshtypje se më e rëndësishme është beteja partiake në vend sesa beteja me Serbinë. Për shkak të politikave populiste të Kurtit, ne shpërdoruam një vëmendje dhe mundësi historike të Kosovës, kur nisi lufta në Ukrainë. Si pasojë e moskoordinimit ne jemi me më pak sovranitet në një pjesë të Kosovës. Afatet e Kurtit u zhbënë brenda një mbrëmje në Bruksel. Tani kemi një pozicion të ri ndërkombëtar, që ka qëllim qetësinë. Jo vetëm që nuk ka arritur të mbajë asnjë premtim, por tani e ka vënë vendin në një pozicion të vështirë, marrëdhënieve jo të mira me aleatët. Kryeministri sot ishte shumë i paqartë dhe kontrovers”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kurti tha se e ka pranuar një dokument “merre ose leje” si bazë të mirë për vazhdimin e dialogut.
Ai ka thënë se respektimi i marrëveshjeve paraprake në vend është pranim i asociacionit.