Trupi gjykues në çështjen ndaj Pjetër Shalës, të enjten ka vendosur që procedurat për dëmshpërblim dhe ato penale të zhvillohen njëkohësisht.
Sipas vendimit në rast të shpalljes fajtor, viktimat nuk do të referohen për padi civile në gjykatat e Kosovës, por trupi gjykues do të nxjerrë një Urdhër për dëmshpërblim.
“Trupi Gjykues në çështjen Shala vendosi që procedurat për dëmshpërblim dhe ato penale do të zhvillohen njëkohësisht në këtë çështje dhe se, në rast të shpalljes fajtor, Trupi Gjykues nuk do t’i referojë viktimat për padi civile në gjykatat e Kosovës, në përputhje me nenin 22(9) të Ligjit dhe rregullës 167 të Rregullores, por do të nxjerrë një Urdhër për Dëmshpërblim, në përputhje me nenet 22(8) dhe 44(6) të Ligjit”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të gjykatës, rrjedhimisht, trupi gjykues në këtë çështje do t’i ndjekë procedurat e njëjta si në çështjen Salih Mustafa.
Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas aktakuzës Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në aktakuzë.


