Në një kontejner i cili mbërriti në Vado Ligure në bordin e motoranijes “Victoria L” në Itali, i ardhur nga Ekuadori me një ngarkesë banane, është gjetur rreth 60 kg kokainë.
Mediat italiane bëjnë me dije se pas kontrollit të kontejnerit, u gjet një ngarkesë me drogë e ndarë në 50 pako.
Hetimet e bëra nga Policia Ekonomike-Financiare dhe Guardia di Finanza bënë të mundur arrestimin e një shtetasi shqiptar, i cili hyri fshehurazi në zonën e portit të Vado Ligure. Ai u kap në përpjekje për të marrë drogën e fshehur.
Shqiptari 37-vjeçar, banues në Milano, mësohet se u arrestua menjëherë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe më pas u dërgua në burgun e Xhenovas.
Mësohet se droga, rreth 60 kilogramë kokainë, e ndarë në 50 pako, u sekuestrua dhe u vendos në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Në momentin e arrestimit, shtetasi shqiptar dispononte një armë zjarri me 13 plumba, e cila u konstatua e vjedhur, një radio dhe mjete të tjera të përshtatshme për hapjen me forcë të kontejnerit. Po zhvillohen hetime të mëtejshme për identifikimin e marrësve të ngarkesës së madhe të drogës, e cila nëse do të ishte hedhur në treg, do të kishte sjellë mbi 5 milionë euro.


