Deputetët e PDK-së kanë lëshuar sallën e Kuvendit, në shenjë revolte për koeficientin në vlerë 105.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se shprehin zhgënjimin e tyre për këtë koeficient, për të cilin tha se është një koeficient I mjerimit dhe se sipas tij, demotivon të gjithë të rinjtë e të rejat që duan të jenë pjesë e administratës.
“Si grup parlamentar kërkojmë nga qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë edhe njëherë këtë çështje, sepse e thellon edhe më shumë krizën tonë”, tha Tahiri.
Pasi konfirmuan largimin e tyre, Konjufca kërkoi që ata të mos i marrin mëditjet, për çka Tahiri pranoi.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se koeficienti i pagave nuk adreson as për së afërmi çështjen e inflacionit.
“Në një Qeveri ku glorifikohet Oliver Ivanoviq, një person i dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, nga një Qeveri e cila e mbron krimin e korrupsionin e Martin Berishajt, nga një Qeveri e cila dyfishon tatimin në pronë e dëmton qytetarët e Kosovës, nga një qeveri e cila kap shtetin, siç ishte rasti i fundit me RTK-në, s’besoj se është dashur të pritur më shumë e as më pak me u zhgënjye. Është ditur dhe është pritur që kjo qeveri që glorif8il0on krimin ndaj shqiptarëve, që mbron korrupsionin e Berishajt e shumë tjerëve, që rrit tatimin ndaj qytetarëve të Kosovës, e nuk merr asnjë masë që lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës, s’mund të presësh të ketë zgjidhje për pagat në sektorin publik. Koeficienti i pagave as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit që ndodhi këto dy vjet, ku jeta e qytetarëve të varfër të Kosovës është bërë ferr. Të paktën është dashur të adresojë inflacionit, i cili për produkte bazë ka arritur rreth 80 për qind., Në këto rrethana s’besoj se është normale të fillojë seanca, sikur s’ka ndodhur asgjë. Dhe mos na konsideroni si pjesë të kuorumit për të filluar seancën”, ka theksuar Gashi.
Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, Qeverinë Kurti e ka quajtur Qeveri të mashtrimeve.
“Nga këto veprime të Qeverisë keni ardhur në Qeveri me mashtrime. Po vazhdoni të mashtroni ju nuk dini gjë tjetër vetëm të mashtroni. Po a po ju vjen turp se kur është miratuar për herë të parë me koeficient 129 keni qenë ju që nuk e keni përkrahë. Është dashur të ketë diskutim publik për atë koeficient por ju e keni mbajtur fshehtë. Në këtë gjendje ekonomike dhe sociale nuk ju ndihmoni qytetarëve”, ka deklaruar Kadrijaj.


