Zyrtarët policorë të Kosovës janë sulmuar sot në Bistricë të Leposaviqit.
Ndërsa pak më parë informacione të reja janë dhënë në lidhje me këtë rast.
I dyshuari në këtë rast për sulmin ndaj policisë theksohet të ketë qenë në një veturë e tipit “Audi Q5”, e zezë.
Sipas të dhënave të para, vetura në fjalë po drejtohej me shpejtësi marramendëse në drejtim të policëve në tentim për t’i goditur.
I dyshuar në këtë rast theksohet se është serbi, Miljan Deleviq. Në lidhje me këtë rast janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, nga ku u tha se gjatë realizimit të detyrave policore është tentuar të ndalohet një veturë e dyshimtë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e policisë, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejtë edhe jetën e zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.
“Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.
Rasti në fjalë është dënuar edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ministri Sveçla tha se dhuna ndaj zyrtarëve policorë nuk do të lejohet.




