Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje nëpër disa qytete të Kosovës të enjten.
Në disa fshatra të komunës së Gjakovës siç janë Rracaj, Sheremet, Madanaj, Meje etj, pas reshjeve më të fundit uji përveç se ka vështirësuar qarkullimin nëpër rrugët kryesore, ka depërtuar edhe nëpër oborret e shtëpive duke shkaktuar edhe dëme materiale.
Ndërsa, për momentin gjendja në qytet është e menaxhueshme thonë zyrtarët e kësaj Komune.
Gjendja e rëndë raportohet të jetë në Skenderaj dhe atje rrugët janë vështirësuar për kalimin e veturave.
Ndërkohë, rruga nga Klinë në Pejë është e gjitha e mbuluar me ujë.
Situata e vështirësuar hidrometeorologjike, pritet që të vazhdojë dhe gjatë ditëve në vijim, prandaj edhe nivelet dhe prurjet e lumenjve, pritet të ngritën dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje.
Bazuar në paralajmërimin nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për vërshime në ditët në vijim, dhe me qëllim të gatishmërisë së institucioneve dhe Strukturave për Mbrojtje Shpëtim dhe Ndihmë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent udhëzon për ngritje të gatishmërisë në nivel vendi për të gjitha qendrat operative emergjente, zjarrfikësit dhe drejtoritë komunale për mbrojtje dhe shpëtim.


