Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pasi që deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti në Davos të Zvicrës, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.
Hoti ka thënë se thirrjet e Kurtit për investitorë dhe paralajmërimet për konflikt “nuk shkojnë bashkë”.
Atij i ka reaguar Kryeziu duke e pyetur se “me çka nuk është i kënaqur”.
Përveç kësaj në formë të pyetjeve ai ka renditur edhe 7 pyetje të tjera në formë të përgjigjeve.
“1) Me pjesëmarrjen e Kryeministrit Kurtin në Davos në mesin e shumë liderëve botërorë? 2) Me organizimin e konferencës për investitorë të huaj? 3) Me ftesën që po bën për investime të huaja në vend? 4) Me takimin me kryeministren e Finlandës, vend anëtar ky i BE-së, e cila së fundmi ka aplikuar në NATO, synim ky edhe i joni? 5) Me kërkesën për më shumë siguri për Kosovën përmes më shumë trupave të NATO-s në Kosovë? Siguria e shtuar për Kosovën është siguri edhe për investitorët. 6) Me shpërfaqjen e Serbisë para opinionit ndërkombëtar, lidhjeve të saj me Rusinë dhe qëllimeve të përbashkëta për destabilizim të Rajonit? 7) Me faktin që Albin Kurti është kryeministër i Kosovës?”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.


