Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar Lëvizjen Vetëvendosje me padi, pasi një foto e tij figuronte në një video që partia në pushtet e publikoi para pak ditëve ndërsa e titulloi “Çka ka, çka s’ka”.
“Ku e merr guximin ai njeri që e ka bërë atë video që ta vendosë fotografinë time në një video inkriminuese e të më fyejë. Ku e merr guximin ai ta vendosë fotografinë time e t’i krijojë shqetësim familjes sime dhe rrethit familjar tim, kur unë kurrë në jetë as sa kam qenë në funksion publik nuk kam keqpërdorur asgjë. Le të del Vetëvendosja e të thotë vetëm një element që e kam keqpërdorur. Kam qenë zv. kryeministër e krurë nuk kam bërë asnjë keqpërdorim, gjeni vetëm një keqpërdorim që kam bërë, gjeni vetëm një njeri që kam shti në punë. Qysh ju duket ju deputet me ju vendos një parti politike foton e juaj në video inkriminuese nëse ju s’keni keqpërdor asgjë. Nuk lejoj me kalu kjo. Kërkoj nga Vetëvendosja me largu foton time, përndryshe do të përdori gjitha mekanizmat ligjor në vend dhe kudo, për me detyru Vetëvendosjen me tregu çfarë kam keqpërdor unë. Prej Vetëvendosjes pres reagim me largu fotografinë, përndryshe do të angazhohem në gjykatë me trajtu këtë temë”, ka thënë Tahiri në seancë të Kuvendit.

Ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje ka goditur ish-qeveritë dhe sindikatat, me një video të radhës.
Vetëvendosje në një video të postuar në Facebook ka thënë se gjatë “këtyre dy vjetëve nuk ka më vjedhje, zhvatje e hajni”.
Në video janë përmendur skandale të ndryshme të së kaluarës, ndër të tjera “terminalet doganore, vjedhja e dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës, vjedhja e drogës nga terminalet doganore, si dhe shitja e tokave me 1 euro ari”.
“Nuk ka privatizim të fabrikave e tokave shtetërore me 1 euro ari. Nuk ka pronësi mbi terminalet doganore. Nuk ka vjedhje të drogës në dhomë të dëshmive. Nuk ka këshilltarë e shoferë ministror që bartin drogë me logjistikë shtetërore. Nuk ka vjedhje të 2 milionë eurove nga Thesari në pikë të ditës. Nuk ka më zhvatje të dhjetëra miliona eurove nga ndërmarrjet publike prej oligarkëve. Nuk ka falje të miliona eurove për kompanitë e mëdha vendore e të huaja veç pse i është tekur dikujt. Nuk ka më emërime familjare e partiake në borde të ndërmarrjeve publike. Nuk shuhen më departamente e taskforca antikorrupsion”, thuhet në videon e Vetëvendosjes.
Sa i përket sindikatave, i ka quajtur ato partiake, duke thënë se më Qeveria “nuk shantazhohet nga ato”. E po ashtu ka thënë se me qeverisjen e saj “Lista Serbe më nuk ka fuqi për të kushtëzuar”.
Për më shumë shihni VIDEO-n:


