Është lansuar pilot-projekti për unifikimin e sistemit të adresave për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe të Istogut.
Kjo është bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Hysen Durmishi, zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,deklaroi se përmes këtij projekti mundësohet ofrimi më i mirë i shërbimeve për qytetarët.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedria Hamza tha se në kuadër të procesit të integrimeve evropiane, projekti i unifikimit të adresave është projekt i veçantë.
Nënkryetari i komunës së Istogut, Ali Nimanaj, tha se janë të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm është ky projekt.
Massimiliano Paolucci, menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore, tha se shumë shtet në botë nuk e kanë një sistem të tillë, prandaj sipas tij, vënia në funksion paraqet rëndësi të veçantë për Kosovën.
Ndërkohë, Vera Rohmann, nga ambasada gjermane, tha se pret që për dy vjet projekti të finalizohet, duke shtuar se as bizneset nuk mund të regjistrohen pa adresa.
Kurse zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, theksoi se sot po lansohet një projekt shumë i rëndësishëm, pasi bëhet lidhja e qytetarëve me një adresë unike.
Ai tha se për këtë pilot-projekt fillimisht janë përzgjedhur dy komuna, ajo e Mitrovicës dhe Istogut, pa të cilat është e pa mundur të realizohet ky projekt. Camaj theksoi se pret mbështetjen e këtyre komunave që të ketë sukses ky projekt, në mënyrë që të bëhet me e lehtë pastaj të shtrihet në të gjithë Kosovën.


