Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, në vizitën e parë në Prishtinë është pritur nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla.
Pas takimit në një konferencë të përbashkët për media, Gërvalla ka thënë se ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon, ka qenë pjesë e përpjekjeve të shumta për t’i realizuar interesat legjitime të Kosovës.
Ajo ka thënë se gjendja në rajon mbetet e komplikuar për shkak të luftës në Ukrainë, por edhe për shkak të tema të pazgjidhura mes vendeve të rajonit.
Sipas saj, Sllovenia është një avokate e rëndësishme e rajonit tonë si shtet-anëtar i BE-së.
Ajo ka shtuar se kërcënimet që Serbia i bënë rajonit me luftë, kërkojnë një përgjigje të përbashkët.
“Pa paqen dhe stabilitetin e nevojshëm në rajonin tonë, dhe pa një Evropë që nuk e përfshinë gjithë Evropën, sfidat do të mbesin të njëjta. Rajoni ynë ndodhet në një fazë të rrezikshme të historisë evropiane. Sllovenia është gjithashtu anëtare e NATO-s dhe Kosova nuk e ka fshehur asnjëherë aspiratën për t’u anëtarësuar në NATO”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka thënë se Serbia është aleati dhe përfaqësuesi më i afërt i Rusisë në rajon.
Kurse ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të diskutojnë për propozimin e BE-së për normalizim të raporteve dhe se nuk bën të ketë eskalim të situatës në veri të Kosovës.
“Gjithmonë kam thënë që Kosova duhet të përpiqet për normalizim e marrëdhënieve, nuk bënë të bëhet ekslaimi i situatës andej dhe të fillojnë negociatat që të flasim për propozimin e BE-së që e kanë në tavolinë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka thënë Fajon.
Ajo ka shtuar se Sllovenia mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Fajon ka thënë se zgjedhjet që pritet të mbahen në veri duhet të jenë të ndershme e të lira.
“Ne duam që jeta të bëhet sa më e thjeshtë për të gjithë qytetarët. Të gjithë jemi të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan. Kemi nevojë për një Ballkan dhe Kosovë të fortë”, ka thënë Fajon.
Kryediplomatja sllovene ka shtuar se me ministren Gërvalla kanë folur edhe për bashkëpunimin e dyanshëm mes dy shteteve.
Ajo shtoi se Sllovenia mbetet mike e Kosovës dhe se e mbështet rrugën euroatlantike të saj


