Policia e Kosovës njofton se sektori i hetimeve i Stacionit Policor Prizren-Veri, ka sekuestruar një pushkë gjuetie, tri thika dhe një automjet nga një person.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur të dielën, rreth orës 08:00, ku gjatë patrullimit në fshatin Korishë, policët kanë hasur në një person të dyshuar me një automjet.
“Policët e hetues e kanë ndaluar automjetin dhe kanë vërejt se ngasësi i automjetit kishte në posedim një pushkë gjueti me 15 fishekë si dhe tri thika. Pas kontrollimit të dokumenteve rezulton se i njëjti nuk posedonte leje për armët në fjalë”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, gjatë verifikimit të dokumentacionit u konstatua se i njëjti nuk e kishte të regjistruar e as të doganuar automjetin e tij të tipit “Hyundai”.
Bëhet e ditur se arma dhe 15 fishekë, tri thika dhe automjeti janë sekuestruar nga policia.
“Në konsultim me prokurorin kujdestar kundër të njëjtit hapet rasti për veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa rasti procedohet për hetime të mëtejme në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.


