Sot është mbajtur mbledhja e 118-të e Qeverisë së Kosovës, mbledhja e parë e vitit 2023, me ç’rast janë marrë disa vendime dhe janë ndarë mjete financiare për energji elektrike dhe për librin e Ambasadorit William Walker, rreth masakrës së 15 janarit 1999 në Reçak, por edhe për fusha tjera.
Kryeministri i vendit Albin Kurti në një postim në rrjetin social ka dhënë detaje për vendimet e sotme dhe ndarjen e milionave për energji dhe qindra mijëra eurove për çështje tjera.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
Nga mbledhja e 118-të me radhë, e para për këtë vit:
Në 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, ndamë mjete për librin e Ambasadorit William Walker, rreth masakrës së 15 janarit 1999 dhe peshës historike të saj.
Për përballje me krizën energjetike, miratuam masa emergjente në furnizimin me energji, si dhe ndamë:
-24,6 milionë euro për përballje të ngritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike;
– 5 milionë euro për subvencionimin e kursimit të energjisë elektrike nga konsumatorët.
Me Projektligjin për investime të qëndrueshme po vendosim një kornizë të re ligjore për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve.
Me qellim të rritjes së investimeve, miratuam Projektligjin për Parqet Industriale dhe Teknologjike.
Mbështetëm mbajtjen e Forumit të Investimeve, për promovimin e vendit tonë dhe investimeve nga Zvicra në Kosovë.
Miratuam Strategjinë e Transportit Multimodal për vitet 2023-2030, për ngritje të sigurisë së transportit dhe digjitalizimin e tij.
Ndamë 100 mijë euro për Kosovo American Education Fund (KAEF), për të vazhduar kontributin për të ardhmen e Kosovës, për studentët tanë.
Për t’i treguar botës historinë unike të sakrificës shqiptare në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, ndamë 250 mijë euro për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan në realizimin e projektit “Muri i Nderit” në Prishtinë.
Si dhe emëruam drejtorët e Bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini Sh. A. Pejë.


