Inspektorati i Tregut i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka shpalosur punën që ka bërë gjatë vitit 2022.
Ky Inspektorat ka realizuar 2,830 inspektime te Operatorët Ekonomik në sektorin privat të cilët operojnë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, nga të cilat 1,453 janë realizuar nga inspektorët për kontrollin e tregut të naftës, 732 janë realizuar nga inspektorët për sigurinë e produkteve ndërsa 663 janë realizuar nga inspektorët e mbikëqyrjes së përgjithshme të tregut.
Sa i përket numrit të ankesave të trajtuara, ka rezultuar se në 74% të rasteve ato janë konsideruar të bazuara dhe janë zgjidhur në favor të konsumatorëve. Ndërkaq në 23% të rasteve pas trajtimit nga inspektorët ka rezultuar se ankesat ishin të pabazuara. Ndërsa në 3% ankesat janë refuzuar pasi që nuk ishin të kompletuara me dokumentacion të nevojshëm, dhe të njëjtat janë konsideruar si informata të vlefshme për Inspektoratin.
Ankesat e konsumatorëve kryesisht ishin për mos përputhje të çmimeve raft – arkë, për mos respektim të garancioneve, mungesës së etiketës që tregon flamurin e origjinës së produktit , për zbritje mashtruese të çmimeve, për mashtrimet gjatë blerjeve online,peshën e bukës etj.
Ankesat janë pranuar edhe lidhur me mungesën e etiketës e cila tregon flamurin e origjinës së produktit dhe me këtë rast janë realizuar inspektime në gjithë territorin e Kosovës. Inspektimet janë duke vazhduar çdo ditë në bashkëpunim me inspektorët e tregut komunale, e sidomos numri i inspektimeve është rritur tani kur jemi në prag të festave të fund vitit.
Vlen të përmendet se gjatë mandatit qeverisës në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, nga ministrja Rozeta Hajdari, përqindja e inspektimeve ka shkuar në 67%, me gjithsejt 5432 inspektime tek Operatorët Ekonomik.


