Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot do të nis një aktivitet shtesë me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër Gripit sezonal dhe kundër COVID-19, i quajtur “Karvani i vaksinimit”.
Ky aktivitet synon që të ndihmojë qytetarët për ta kuptuar sa më mirë rëndësinë e vaksinimit dhe njëkohësisht për t’u vaksinuar kundër Gripit sezonal dhe kundër COVID-19, në kohën kur në vende të ndryshme të botës numri i rasteve të reja të COVID-19 ka filluar të rritet.
Për këtë qëllim, për një periudhë kohore prej më shumë se një muaji, në komunat e Kosovës, ekipet e vaksinimit do t’u mundësojnë qytetarëve që të vaksinohen përmes këtij aktiviteti.
Objektivat e karvanit të vaksinimit janë:
• Inkurajimi i qytetarëve për vaksinimit kundër COVID-19 dhe kundër Gripit sezonal dhe promovimi i sjelljeve parandaluese dhe masave të shëndetit publik;
• Sigurimi që vaksinimi kundër Gripit sezonal dhe COVID-19 të jetë lehtësisht i arritshëm në komunitetet lokale, veçanërisht për popullatën me të ndjeshme dhe;
• Promovimi i pjesëmarrjes së drejtuesve të komunitetit në aktivitetet lokale për të adresuar pengesat në procesin e vaksinimit.
Gjatë karvanit të vaksinimit, përveç vaksinës kundër Gripit sezonal, qytetarët do të mund të vaksinohen edhe me dozat bivalente përforcuese kundër COVID-19, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë.
“Karvani, fillon më 22. 12. 2022 në Komunën e Fushë-Kosovës, për të vazhduar sipas orarit të bashkëlidhur në këtë njoftim edhe në komunat e tjera të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.