Është rritur prezenca e trupave të KFOR-it në pikën kufitare në Jarinjë.
Automjetet të shumta ushtarake të KFOR-it kanë “blinduar” pikën kufitare në Jarinje këtë paradite.
Ky veprim i KFOR-it vjen pas disa paralajmërimeve nga grupet ultra-nacionaliste serbe për një sulm ndaj kufirit në Jarinje dhe djegie të pikës kufitare.
Po ashtu në anën kosovare të kufirit në Jarinjë, shihen tani edhe pjesëtarë amerikanë të misionit të NATO-s, KFOR.
Grupet djathtiste serbe të cilat ishin duke protestuar në kufirin në Jarinjë, kanë thyer për një moment kordonin e policisë serbe duke iu afruar kështu territorit të Kosovës.
Për një moment është dëgjuar edhe një shok-bombë, kurse policia po tenton t’i ndalojë.
Policia serbe ka krijuar një tjetër kordon më afër kufirit në Jarinjë (tek pjesa e Kosovës). Protestuesit gjatë të kohës po i ofendojnë policët serb të cilët nuk po i lejojnë të kalojnë më tej dhe për këtë edhe janë përleshur.
Damjan Knezheviq, njeri i afërt me grupin paramilitar rus, Wagner, është në vijën kryesore të protestës. Protestuesit u ka bërë thirrje policëve “të futen në Kosovë”, ndërsa ka pasur edhe sharje për “NATO-n”, në drejtim të trupave të KFOR-it që kanë shtuar forcat në pikën kufitare në Jarinjë.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – janë të banuara me shumicë serbe.
Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që KFOR-i t’i largojë këto barrikada, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se pret që barrikadat të hiqen nga personat që i kanë ngritur ato.