Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga KFOR-i që të garantojë lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës, ndërsa deklaroi se Kosova me partnerët evropianë e amerikanë, ka shtyrë zbatimin e disa vendimeve.
Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Kurti ka thënë se Serbia po kërcënon sërish me luftë.
Ai shtoi se ajo që e dinin gjatë gjithë kohës u shpërfaq në mënyrën më të egër të mundshëm këtyre ditëve.
Ai shtoi se Kosova me partnerët evropianë e amerikanë, ka shtyrë zbatimin e disa vendimeve.
“Por nuk mund të heqim dorë përgjithmonë. Paligjshmëria nuk do të tolerohet e nuk do të durohet në asnjë pjesë të vendit tonë”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se Kosova dëshiron të ardhme demokratike e prosperuese kurse Serbia tha se dëshiron t’i kthehet luftës.
“Kohërat e shkuara duhet të mbesin në të kaluarën. Ne jemi Qeveri e paqes e cila dëshiron të ruajë sigurinë për të gjithë qytetarët, pa dallim feje e etnie, moshe apo gjinie”.
Kryeministri Kurti falënderoi të gjithë Policinë e Kosovës dhe qytetarët, që sipas tij, po mbajnë lart moralin dhe vigjilencën e tyre.
“Militarizimi i Serbisë përgjatë viteve na ka sjellë në këtë gjendje… Çdo vit, Serbia nga 3% të Prodhimit Bruto Vendor, e ka ndarë për ushtri dhe këtë e kanë rritur vazhdimisht, me synim destabilizim të Ballkanit. Nuk jemi kundër askujt sipas përkatësisë etnike, por vetëm në bazë të sjelljes individuale apo grupore në përballje me ligjin”, ka thënë ai.