Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ka thënë se Serbia po kërcënon sërish me luftë. Ai shtoi se ajo që e dinin gjatë gjithë kohës u shpërfaq në mënyrën më të egër të mundshëm këtyre ditëve.
Ai ka thënë se pas 23 vjetëve nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënoi përsëri me luftë dhe rikthimin e trupave ushtarake.
Kurti ka thënë se Beogradi zyrtar sot po flet e sillet si para 23 vjetëve.
“Serbia nuk po e fsheh që kërkon rikthim në Kosovë, në esencë kërkon që ta vazhdojë luftën. Luftën që e humbi dhe kapitullimin që e pranoi në Kumanovë në vitin 1999. Mohimi i shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë përbënë kërcënim të vazhdueshëm. Në veri të vendit paqja mbeti përherë e brishtë. Pakoja e Ahtisarit mbeti përherë e dhimbshme përkundër kundërshtimit me protesta popullore. Integrimi i vërtetë i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialogu”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se me kriminelë si Radojçiq dhe Veselenoviq bëhej marrëveshje edhe për të formuar qeverinë por edhe për të blerë qetësinë në veri të Kosovës.
Sipas tij, një situatë e tillë është e papranueshme për një shtet demokratik si Republika e Kosovës.
Ai ka thënë se sundimi i ligjit është dëshmia që ka republikë mbi qeverinë, por edhe rregull të përbashkët mbi çfarëdo politike të pjesshme.
“E kemi thënë që nga fillimi që Qeveria është e interesuar për bashkëpunim me të gjithë serbët. Ne jemi qeveria më demokratike dhe progresiste në rajon. Duam që serbët të marrin pozitat që u takojnë. Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë. Serbia përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar mungesën e ligjit të plotë në veri, po i mbanë peng qytetarët serbë. Për shkak të brishtësisë së situatës, kemi toleruar shtyrjen e veprimeve tona. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë veprim që kemi marrë”, ka thënë ai.
Sipas tij, paligjshmëria nuk do të tolerohet.
Ai ka thënë se Serbia dëshiron kthim të luftës kur ka kryer gjenocid në Kosovë.
Kurti ka thënë se serbët janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të distancohen nga grupet kriminale.
“Ne jemi qeveri e paqes që do ta ruajë sigurinë e të gjithë qytetarëve. Militarizimi i Serbisë na ka sjellë në këtë gjendje. Ky militarizim është kërcënim për gjithë rajonin tonë. Ne pas mbledhjes erdhëm në vendim për më shumë vigjilencë e siguri”, ka thënë ai.