Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë të premten në seancë të Kuvendi se ai ka mbajtur burg për shkak të kundërshtimit ndaj Asociacionit.
Kurti ka thënë se Asociacionin do të duhej të zbatohej atëherë kur është nënshkruar, në vitin 2013 ose 2014, me ata që e kanë nënshkruar.
“Serbia paska pritur që unë të bëhem kryeministër e të zbatohet ajo kur dihet veprimi e qëndrimi im? Pra, e paskan pritur kundërshtarin më të madh të Asociacionit për ta zbatuar Asociacionin. Edhe në aspekt politik e logjik është tërësisht e gabueshme. Po të ishte Asociacioni prioritet do ta zbatonin me ata që e kanë nënshkruar. Është shumë e qartë që nuk e duan Asociacionin si vlerë për vete por si armë kundër Kosovës. Është e vërtetë, unë kam bërë si aktivist politik e deputet opozitar kundërvajtje, por deputeti Hoti, unë kam mbajtur burg për këtë punë. Për të gjitha kundërvajtjet e mija kam mbajt burg. Shteti i së drejtës nuk është ende siç duhet sepse janë ca kriminelë të tjerë që s’janë ende prapa grilave”, ka thënë Kurti, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, se përse nuk po vepron tash, kur sa ka qenë në opozitë ka gjuajtur gaz lotsjellës në kundërshtim të Asociacionit.
Sipas Kurtit, Beogradi po bën kërkesë fëmijërore lidhur me Asociacionin.
“Këtë gjë po na e bën Beogradi, po bën kërkesë fëmijërore pa e imagjinuar se çka ndodhë nëse kjo zbatohet së pari në Serbi. Në dialog unë jo vetëm që kam kërkuar të jemi të barabartë, që Kosova të jetë palë, e jo temë por në të njëjtën kohë me ketë qasje e kam mirëmbajtur barazinë sepse kam thënë çfarëdo kërkese duhet ta ketë formën e principit. Jo të thuash unë po dua! Ti po don po nuk bëhet”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, Hoti i ka kërkuar Kurtit që ta anulojë marrëveshjen për Asociacionin.
“Unë nuk po kërkoj ta zbatosh, po të kërkoj përmbaju deklarimeve dhe qëndrimeve që i ke pas, që i bie sille në Kuvend anulimin e asaj marrëveshjeje”, ka thënë Hoti.
Ndërkohë kryeministri Albin Kurti ka folur sot në seancën e Kuvendin e Kosovës për situatën e tensionuar në veri, të krijuar si pasojë e disa bandave kriminale që me urdhdër nga Beogradi po tentojnë të pënegojnë organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje.
Kryeministri gjatë diskutimeve në Kuvend tha se bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë ekziston, porse as ata nuk duan që të trajtohen si ministra./KosovaNews