Ish- kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas incidentit që ndodhi këtë të martë ku kreu i PD-së, Sali Berisha u godit me grusht nga Gert Shehu 31-vjeç.
Në një postim që ka bërë në Twitter, Basha shkruan se kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht ndërsa shkruan se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhja.
“Dënoj ashpërsisht sulmin fizik ndaj z. Berisha. Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar”, shkruan Basha.

31-vjeçari Gerti Shehu, i cili sulmoi kreun e PD-së, Sali Berisha mesditën e sotme, aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës për të marrë mjekim.
Mësohet se i riu ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë.
Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi.
Sipas mjekëve 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.


