Negociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se pas marrëveshjes së arritur për targat, duhet të fillohet me negocimin mbi propozimin franko-gjerman.
Sipas tij, tensionet e lidhura me targat janë tejkaluar, dhe nuk ka më pretekste që ndalojnë negocimin në Bruksel për normalizim.
“Pas disa orësh diskutime intensive, arritëm në një marrëveshje. Gjithçka është gati për të filluar bisedimet mbi propozimin franko-gjerman. Pati disa tensione që parandaluan fillimin e këtyre diskutimeve, ne besojmë se me arritjen e kësaj marrëveshjeje nuk ka më pretekste që të shkohet në Bruksel dhe të flitet për normalizim”, ka thënë Petkoviq para mediave.
Pala kosovare dhe ajo serbe kanë arritur marrëveshje lidhur me targat të mërkurën vonë.
Siç njoftoi përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell në Twitter.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur”, shtoi tutje ai.


