Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të akuzuarit Zoran Vukotiq për veprën penale në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të panjohur të njësitit të përmendur rezervist të policisë serbe dhe personat e tjerë të armatosur dhe të uniformuar, Krime të luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Pas vendimit për dënim me 10 vjet burgim për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës të marrë më 5 korrik 2021 nga Gjykata Themelore e Prishtinës kundër Zoran Vukotiq, për shkak të parashtrimit të ankesës në Gjykatën e Apelit, rasti ishte kthyer në gjykim të serishëm dhe sot Vukotiq u shpall fajtor për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës kundër viktimës shqiptare.
Sipas një kumtese të Gjykatës Themelore të Prishtinës vendimi i marrë në vitin 2021 ishte një pikë kthese për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë, duke ua rikthyer besimin në institucionet e drejtësisë dhe shpresën për dënimin e personave përgjegjës për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.
Kurse konfirmimi i sotëm i të njëjtit vendim e fuqizon edhe më tutje këtë besim që po ndërtohet përmes guximit të të mbijetuarve që kanë paraqitur rastet e tyre në prokurori dhe përkushtimit të institucioneve të drejtësisë për t’i shkuar deri në fund procesit të vënies së drejtësisë në vend.
“Ky vendim përçon mesazhin që krimet e dhunës seksuale as harrohen e as falen, por pavarësisht kohës që ka kaluar dhe përpjekjeve për t’i ikur drejtësisë, ajo herët ose vonë do të arrihet dhe do të jetë e palëkundshme. Rruga e drejtësisë e cila është hapur me këtë vendim është në vazhdimësi dhe do të jetë e pandalshme dhe të gjithë presim që drejtësia të arrihet edhe për rastet e tjera në proces duke i dhënë fund pandëshkueshërisë që ka mbizotëruar deri tash” thuhet në njoftim.
Mes tjerash, në njoftim Gjykata fton institucionet relevante që të vazhdojnë ndjekjen e drejtësisë me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.


