Policia e Kosovës njofton se janë arrestuar shtatë persona në Gjakovë, nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se Stacioni Policor në Gjakovë, konkretisht Njësia e Hetimeve, përmes rrugëve operative dhe hetimore kishte pranuar informatë se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Gjakovë ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit (bixhoz i paligjshëm).
“Me datën 09.11.2022 rreth orës 19:00, në koordinim me Prokurorin e Shtetit është realizuar kontroll në lokalin ku dyshohej se ishte duke u zhvilluar dhe organizuar bixhoz i paligjshëm. Gjatë kontrollit në atë lokacion janë hasur dhe arrestuar shtatë persona të cilët ishin duke luajtur lojën e fatit të ashtuquajtur “Barbut”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari P.P. (59-vjeç), i cili dyshohet se ishte organizatori i lojës dhe pronari i lokalit, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.


