Kontrata e nënshkruar nga Komuna e Prishtinës me Grupin e Operatorëve Ekonomik “VB Invest & DT Mining shpk & Limit Projekt”, për ndërtimin e rrugës në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, është shkëputur me pëlqimin e të dyja palëve, me arsyen e rritjes te çmimeve.
Në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës, është gjetur se për fshatin Butovc gjatë vitit 2021 përmes kësaj kontrate është paraparë ndërtimi i pesë rrugëve, si dhe e njëjta ka shumën prej 171 mijë e 171 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, Betimi për Drejtësi ka dërguar kërkesë për informata në Komunën e Prishtinës, Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të kontratave, e cila lidhur me rastin në fjalë ka bërë të ditur se kontrata është shkëputur me pëlqimin e të dyja palëve, me arsyeshmërinë e rritjes së çmimeve.
Në këtë përgjigje, zyrtarja e Komunës së Prishtinës, Afërdita Hasimi, tha se në këtë kontratë nuk është punuar dhe nuk është bërë asnjë pagesë.
“Kontrata me titull “Ndertimi i rruges ne Butovc- loto 1” me numer te prokurimit 616-21-3744-5-1-1, e nenshkruar me date 21/10/2021, me Grupin e Operatoreve Ekonomik “VB Invest & DT Mining shpk & Limit Projekt”, me perfaqesues Berat Hasolli, me date 28.06.2022 është shkëputur kontrata me pëlqimin e te dy palëve me arsyeshmerine e rritjes te çmimeve. Ne ketë kontrate nuk eshte punuar dhe nuk është paguar asnje pagese”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga zyrtarja Hasimi.
Por, thuhet se pas shkëputjes se kontratës, ajo është ritenderuar më 28 korrik 2022 dhe është në fazën e vlerësimit në procedura të prokurimit.
Ndryshe, banori i fshatit Butovc, Florim Gashi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se nga qeverisja e kaluar ishin ndarë 270 mijë euro për ndërtimin e tri rrugëve në këtë fshat dhe më pas tenderin për shtrimin e këtyre rrugëve e kishte fituar një kompani me çmimin 170 mijë euro.
Mirëpo, sipas tij, kjo kompani ka punuar vetëm për tri ditë dhe pas tri ditësh ka ndërprerë punimet, me ç’rast Gashi thotë se banorët e kanë të pamundur lëvizjen nëpër ato rrugë.
Ai gjithashtu thotë se ka kuptuar që sipas kontratës që është bërë në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, nga 5 km rrugë në total që kanë pasur të shtrohen, vetëm 1 km është paraparë të shtrohet asfalt, ndërsa të tjerat me zhavorr, e që sipas tij, shuma prej 170 mijë euro është tejet e lartë pasi që i njëjti thotë se për shtrimin e rrugës me zhavorr nuk duhen shumë të holla.
I njëjti shtoi se banorët e këtij fshati janë ankuar disa herë në komunë, por se të njëjtëve vetëm se u janë dhënë premtime derisa thotë se nga një inspektor i është thënë se projekti është vendosur në ritenderim, pasi që meqenëse janë shtrenjtuar çmimet, kompanisë nuk i kanë mjaftuar paratë me të cilat është fituar tenderi.
Sa i përket dyshimeve të Gashit se është paraparë një shumë e lartë për pak rrugë, në shkresat e siguruara në E-prokurimi, janë të përfshira edhe paramasat dhe parallogaria për këtë tender.
Gjithashtu, Gashi theksoi se në dosjen e tenderit është edhe kontrata e veçantë në të cilën është paraparë që punimet të fillojnë 15 ditë pas nënshkrimit të kontratës, e cila është nënshkruar më 20 tetor 2021 dhe të përfundojnë pas 120 ditë pune kalendarike, që sipas tij i bie se është dashur të përfundohen punimet diku rreth muajit mars 2022, e që del se janë shkelur kushtet e kontratës meqenëse nuk ka pasur punime nga OE.


